Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje miratimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i cili u votua nga Komiteti i Ministrave me mbi dy të tretat e votave të nevojshme.
Ajo ka shkruar se sot nuk është votuar vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
“Së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës. 🇽🇰
Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar ajo në facebook.
Lajmin më herët e ka bërë të ditur edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, ndoshta sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.