Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj pretendimeve të disa deputetëve se në seancën solemne për nder të 21 vjetorit të çlirimit, nuk e ka përmendur fare UÇK-në.
Osmani në një postim në Facebook, ka thënë se jo vetëm në këtë seancë, por në të gjitha sipas saj e ka lartësuar kontributin e UÇK-së, dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Tendenca e disa deputetëve që të mashtrojnë publikun është, thënë më së buti, e padinjitetshme. Më poshtë, mund të ndiqni një insert të shkurtë nga fjalimi im i sotëm, që e dëshmon të vërtetën”, shkruajti Osmani.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit në Facebook:
Jo vetëm në këtë seancë, por edhe në çdo seancë tjetër solemne, kam kujtuar e lartësuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandatit legjendar të saj, Adem Jasharit e të gjithë familjes Jashari, si dhe kontributin e të gjithë heronjëve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithëve që luftuan e sakrifikuan që sot të jemi të lirë.
Tendenca e disa deputetëve që të mashtrojnë publikun është, thënë më së buti, e padinjitetshme. Më poshtë, mund të ndiqni një insert të shkurtë nga fjalimi im i sotëm, që e dëshmon të vërtetën.