Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim u.d. së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi dhe kryesuesin e KPK-së, Jetish Maloku.
Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar për “nevojën domosdoshme dhe urgjente të intensifikimit të punës së Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë në parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të dhunimeve, ngacmimeve seksuale dhe veprave penale kundër integritetit seksual”.
“Presidentja kërkoi nga KPK-ja dhe u.d. Kryeprokurori që t`i ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ashpërsuar këtë luftë dhe për të ngritur kapacitetet e nevojshme që të mundësohet një gjë e tillë. Njëkohësisht, Presidentja u zotua për përkrahjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe atyre ligjzbatuese në ndërmarrjen e këtyre hapave”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim gjithashtu është diskutuar për Vettingun dhe reformën në drejtësi.
“Presidentja gjithashtu rikonfirmoi përkrahjen e saj për nismën për veting dhe reforma në drejtësi, si rruga më e nevojshme dhe e duhur në drejtim të garantimit të një sistemi gjyqësor e prokurorial me integritet dhe profesionalizëm. Sipas Presidentes Osmani, integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë është shtyllë kryesore e sundimit të ligjit në vendin tonë.
Në këtë drejtim, veçanërisht tani pas marrjes së dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias, Presidentja tha se vetingu është ndër proceset reformuese më të rëndësishme në vendin tonë në drejtim të ndërtimit të një sistemi kredibil prokurorial e gjyqësor dhe kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi. Në këtë kontekst, Presidentja u bëri thirrje atyre për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse në zhvillimin e këtij procesi të dobishëm si për prokurorinë ashtu edhe për qytetarët e vendit tonë, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në grupet punuese duke ofruar sugjerimet e tyre konkrete për avancimin e këtij procesi”.
Osmani me Kelmendin e Malokun kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
“Në takim gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit. Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së.
Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.”