Osmani po kërkon thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të në përputhje me objektivat e Trump

E publikuar: 20/03/2025 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, Anu Prattipati, ku gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përputhje me objektivat e përcaktuara nga presidenti, Donald Trump, shkruan InfoSot.

Ndër të tjera në takim, është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe hapat përpara drejt formimit të qeverisë.

“Gjithashtu, biseda u fokusua në angazhimet konkrete pas vizitave të fundit në Kosovë, përfshirë ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, vizitat e përfaqësuesve  ushtarak të SHBA-ve, si dhe vizitën e Presidentit të Letonisë, që u zhvilllua gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftim.

Osmani e Prattipati në veçanti kanë prekur temën e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe forcimit të partneritetit në fushën e mbrojtjes.

“Takimi riafirmoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së dhe angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve”.