Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përballë agresionit të Serbisë, nevojiten partnerët ndërkombëtar, ndërsa thekson se Kosova nuk mund ta ketë as një sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunim dhe mbështetje të aleateve, raporton Ekonomia Online.
E para e shtetit ka pasur kritika edhe për mosvendosje të sanksioneve ndaj Serbisë, përkundër aktit terrorist në Banjskë.
Presidentja Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se e ka dëmtuar qasja e pabarabartë ndaj palëve në këtë proces.
“Procesin e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e bilancit, mungesa e ekuilibrit në këtë dialogut ku njëra palë më këtë rast Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, kurse Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme, kjo vetëm jo që e dëmton dialogun por të njëjtën kohe edhe inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë por në suaza më të gjera në relacione më të gjera me miq tanë unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës secilin që merret me politik që të beje çmos që këto relacione në veçanti me SHBA, me Mbretërinë e Bashkuar e me shtetet e BE-së që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetin tonë sepse historia jomë e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin”, ka deklaruar Osmani pas konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.
Osmani ka thënë se edhe kaq shumë vite pas përfundimit të luftës, Serbia ka synim vrasjen e qytetarëve të Kosovës. Shembull për këtë merr vrasjen e zyrtarit policor në Banjskë, Afrim Bunjaku.
“Kosova është shtet që natyrisht është demokraci e konsoliduar dhe zhvilluar por mos të harrojmë që kemi probleme të mëdha të sigurisë në kufi. E kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës që çdo ditë synon edhe sot 25 vite pas luftës vrasjen e qytetarëve tanë siç e pamë me vrasjen e heroit tonë Afrim Bunjaku. Në këto sfida na duhet aleatet tanë na duhet partneret tanë jo vetëm për t’i falënderuar për atë që kanë bërë në të kaluarën por edhe si vizion për atë se çfarë na duhet për të ardhmen. Nëse dëshirojmë të kemi sukses në rrugën përpara, duhet ta bëjmë këtë më aleatet. Nuk mundet Kosova ta ketë as një sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleateve, pra edhe kushtetuta edhe aleatet nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, u shpreh Osmani.
Osmani ka folur edhe për kritikat nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Osmani ka thënë se çështja e dinarit nuk është dashur të krijojë përplasje me aleatët.
“Kjo çështja e dinarit nuk është çështje dinarit fare sepse askush nga aleatet tanë nuk është duke kërkuar që të zbatohet dinari ta them këtë qartë. Askush nuk ka kërkuar që të mos zbatohet rregullorja e BQK apo të shfuqizohet ajo, e tëra që po kërkohet që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh nevojat e qytetareve të rëndom, të rinj e të moshuar, që marrin edhe ndihmë financiare nga Serbia nëpërmjet pensioneve. Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt nuk është dashur të bëhet çështje fare se nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatet tanë fare”, u shpreh Osmani.
“Jam e bindur që nëse ka vullnet i cili zgjatë disa ore mund të ulen të gjitha institucionet relevante ta zbatojnë në praktikë këtë rregullore të BQK-së dhe të dalin me hapa konkret duke bazuar në ligjet që ekzistojnë në Republikën e Kosovës dhe ta marrim edhe përkrahjen e aleatëve tanë se siç e dini kjo çështje nëse nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen edhe probleme te mëtejmë”, deklaroi Osmani, teksa nuk deshi ta komentojë ftesën për takim në Bruksel për çështjen e dinarit.
“Rreth ftesës në Bruksel besoj që mund ta pyesni vet zëvendëskryeministrin i cili është vet kryenegociator se për çka është ftesa. Unë mendoj qe këto çështje mund të zgjidhen në Kosovë kur ka vullnet dhe janë çështje te cilat siç e thash nuk është dashur kurrë të shkaktojnë mospajtime. Siç e kam thënë edhe me herët, ndonjëherë është edhe mungesa komunikimit që shkakton ato por jam e bindur që do të zgjidhen”, u shpreh ajo.


















