Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur vendimin që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar në lexim të parë propozimin për liberalizim të vizave për Kosovën.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se Kosova ka përmbushur kriteret qysh pesë vjet më parë, dhe se ky proces është shumë i vonuar.
Po ashtu, Osmani ka falënderuar partnerët që qëndruan pranë.
“Ne e mirëpresim unanimin e sotëm të Këshillit të BE-së. Vendimi për liberalizimin e shumë merituar të vizave për banorët e Kosovës. Duke përmbushur kriteret 5 vjet më parë, ky proces i vonuar është megjithatë një fitore për qytetarët dhe shtetin më të ri të Evropës. Faleminderit të gjithë partnerëve tanë që na qëndruan pranë!”, ka shkruar Osmani.
Gjithashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i kënaqur nga lajmi i Këshillit të Ministrave të BE-së, duke thënë se pritjes së gjatë për udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës po i vjen fundi.
“Një hap më afër: I kënaqur nga Këshilli i BE-së për vendimin unanim në favor të udhëtimit pa viza për qytetarët tanë. Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Evropian”, ka shkruar ai.
Ministrat e BE-së miratojnë me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën
Gjatë ditës së enjte, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Demush Shasha.
Ai ka thënë se tani si procedurë ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje unanime.
Ndryshe, sot në rend dite në takimin e ministrave të Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian ishte vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.
Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tri vjet.
Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.