Presidentja Vjosa Osmani së bashku me shefin e misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark kanë vizituar të enjten Kooperativën Bujqësore në Krushë me rastin e dhënies së një donacioni nga EULEX-i.
Presidentja Osmani gjatë kësaj vizite në këtë kooperativë që udhëhiqet nga Fahrije Hoti dhe gratë e Krushës, tha se në këtë fabrikë ka shumë histori dhe ka vlerësuar lartë punën e këtyre grave për përpunimin specit dhe ajvarit në Rahovec.
Osmani tha se ky donacion, furgon dhe kompjuterë, do të plotësohet tutje edhe nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejt nga Zyra e Presidentit së bashku edhe me donatorë të tjerë.
“Ne këtë ndërtesë ka shumë histori, këtu e gjejmë mishërimin e punës se palodhur, kombinimin e ndjenjave të shumta të përkushtimit për t’i dhuruar qytetarëve të Kosovës e përtej, produkte të prodhuara me shumë dashuri. Ju sot jeni synonim i Kosovës se pasluftës. Ju jeni vet shpresa dhe vullneti. Ju jeni konfirmimi më i mirë që dëshmon se kur ka vizion të qartë, angazhim dhe punë, suksesi është gjithnjë i sigurt”, tha Osmani.
Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark përgëzoi gratë e Krushës për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e ambicieve të tyre.
“Përmes përkushtimit tuaj, qëndrueshmërisë dhe punës së palodhshme, ju keni thyer çdo pengesë karshi grave për realizimin e ambicieve tuaja. Ju jeni dëshmia e gjallë se si gratë me një vizion të qartë janë në gjendje të ngrihen nga hiri i luftës brutale… Kam thyer rregullat e pandemisë për të shkuar dhe parë filmin ‘Zgjoi’ i cili paraqet përpëlitjet e një gruaje të vetme, duke u përpjekur të krijoj një biznes të vogël”, theksoi ai.
Ndërsa, pronarja e fabrikës, Fahrije Hoti tha për çdo ditë po i shtohen miqtë kooperativës, të cilët siç tha ajo, nuk ia kthyen shpinën asnjë herë.
Ajo u shpreh falënderuese ndaj donacionit të EULEX-it pasi tha se kanë pasur shumë nevojë.
“Dita ditës kooperativa po rritet, po rritet prodhimtaria dhe numri i punëtorëve, dhe dita-ditës po i shtohen miqtë kooperativës të cilët asnjëherë nuk ia kthyen shpinën, qoftë nga Bashkimi Evropian dhe nga shteti i Kosovës dhe EULEX. Sot është dhuruar një donacion, një kombi, që kooperativa ka pasur mungesë qe sa vite”, tha ajo.
Kooperativa Bujqësore në Krushë ka të punësuar 75 punëtorë dhe synon që këtë numër ta rrisë në 100.