Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean Pierre Lacroix.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.
“Theks i veçantë i këtij takimi ishte progresi edhe sukseset në forcim të demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat tanimë njihen ndërkombëtarisht. Tutje, Presidentja Osmani foli edhe për potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës, si dhe nevojën për bashkëpunim me qëllim të kapitalizimit të këtij potenciali”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, është diskutuar edhe për nevojën që të punohet ngushtë me institucionet e OKB-së në drejtim të mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Presidentja Osmani potencoi se është e rëndësishme që të ketë angazhim të drejtpërdrejt me të mbijetuarit, gjë që është edhe në frymë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja ka thënë se Kosova shërben si shembull për promovimin dhe avancimin e kësaj agjende, jo vetëm në Kosovë, por globalisht”, është thënë në njoftim.
Ndërkohë, mbi temën e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në njoftim thuhet se Osmani ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e institucioneve të Kosovës, se UNMIK-u e ka përfunduar qëllimin e mandatit.
“Në mes tjerash, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”.