Osmani pas takimit me zyrtarin e NATO-s: Kosova e gatshme për deeskalim në veri

E publikuar: 05/07/2023 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Thomas Goffus-Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Thomas Goffus, me të cilin folën për situatën në veri dhe hapat për shtensionim.

Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si partnere e besueshme e NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale.

“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit”.

“Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, e para e shtetit tha se Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t’i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.