Osmani pas takimit me Ramën: Në fokus ishte Samiti i NATO-s dhe Procesi i Berlinit

E publikuar: 06/07/2023 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Mediet janë lejuar të marrin pamje në fillim të takimit.

Ajo ka thënë se me Ramën kanë diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

Osmani e ka falënderuar Ramën për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në një sërë procesesh, derisa është theksuar se ka dakordim për vazhdim të koordinimit.

”Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit“, ka shkruar Osmani.

Po ashtu është folur edhe për raportet në mes dy shteteve. Rama më pas do të pritet në takim edhe nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. Përderisa kreu i Qeverisë, Albin Kurti e ka refuzuar takimin me Ramën.

Rama nga Shkupi ka komentuar deklaratat e djeshme të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se nuk do të takohet me Ramën pa u takuar fillimisht në kuadër të mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

Ai shtoi se nuk i ka kërkuar takim Kurtit dhe se sipas tij, Kurti ka refuzuar takimin paraprakisht, duke menduar se Rama më pas do i kërkonte takim.

Madje ai tha se shpreson që Kurti nuk e ka harruar Kanunin, duke shtuar se edhe hasmit i hapet dera.