Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas pranimit të Raportit për Kosovën për vitin 2022 nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Osmani theksoi nevojën e përshpejtimit të këtij procesi për vendin si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave.
Ndërsa, Szunyog ka theksuar se raporti i sivjetëm njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.
“Në temën e reformave, Presidentja Osmani ka folur mbi vullnetin e institucioneve të Republikës për ta vazhduar punën intensive në luftim të krimit dhe korrupsionit, dhe ka deklaruar vendosmërinë për fuqizim të sundimit të ligjit në të gjitha sferat”, thuhet në komunikatën e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani ka potencuar se në kuadër të kompetencave kushtetuese, ajo do të jetë garantuese e realizimi të prioriteteve.