Zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani e quan të jashtëzakonshme e të shumëpritur.
Kjo për shkak se, sipas tij, shqiptarët kanë qenë popull i përjashtuar e i nënçmuar në Maqedoninë e Veriut.
Ai thotë se pas pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, në këtë shekull, 28 janarin e konsideron si ditën më të rëndësishme në rajon.
“E jashtëzakonshme, gjatë kohë e pritur, shumë emotive. Për shkak se ne kemi qenë popull i përjashtuar atje, i nënçmuar, i degraduar, jashtë sistemit, jashtë shtetit, jashtë shkollave, jashtë universitetit. Në vitin 2004 e kam pasur punësimin e parë si shqiptari i parë në institucion, 20 vite pas zgjidhet kryeministri shqiptar. Kjo është shumë me ngarkesë emocionale për njerëzit, në Maqedoni është festë, pas 17 shkurtit, në këtë shekull, 28 janari është dita më e rëndësishme kudo në rajon.” u shpreh ai në Dukagjin.
Osmani thekson se qëllimi final i tyre është barazi e njerëzve por edhe barazi e bashkësive etnike, apo e komuniteteve.