Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka asgjë për të fshehur rreth shkollimit të vajzave të saj. Në një konferencë për media, ajo ka nënvizuar se vajzat e saj, të cilat shkollohen në Kosovë, janë mbrojtur sipas protokolleve të sigurisë.
Presidentja ka sqaruar gjithashtu se mbrojtja e saj e afërt nuk e ka arrestuar dje kameramanin Jetmir Mujin, teksa ky i fundit po xhironte në një shkollë private, ku Osmani i çon dy vajzat e saj. Madje, ka thënë se vetë ka kërkuar nga mbrojtja e saj e afërt që mos t’i prekë me dorë gazetarët.
“Nuk kam asgjë për të fshehur. Nëse ky paska qenë interes publik, pse nuk më keni pyetur mua? Askush s’ka dërguar pyetje. Vajzat e mia shkollohen në Kosovë, për pesë vite ishin në ‘Ismail Qemali’. Shumë prej jush e dini se keni shkuar e i keni incizuar. Ku njerëzit edhe nga Serbia kanë mundur me i pa. Prania e policisë ka mbrojtur edhe shumë e shumë fëmijë të tjerë. Prani që e kanë me protokolle të sigurisë”, ka thënë Osmani.

















