Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka qëndruar në veri të vendit.
Osmani nga atje, para mediave ka thënë se ishin aty për të falënderuar Policinë e Kosovës për shërbimin e çdoditshëm në interes të sigurisë të të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Osmani po ashtu ka thënë se uron që viti 2025 të sjellë të gjitha të mirat për shtetin e Kosovës.
“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdoditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.
“Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive për festat e fundvitit duke iu dëshiruar të gjithëve shëndet dhe prosperitet me shpresën që viti 2025 do t’i sjell të gjitha të mirat për shtetin tonë”, tha Osmani.
Osmani në vizitën në veri ishte e shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i policisë, Gazmend Hoxha.