Osmani nga samiti në Slloveni: Asnjë shtet i BE-së aktualisht nuk kundërshton liberalizimin e vizave

E publikuar: 12/09/2022 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Slloveni është mbajtur sot samiti i 11-të i Brdo-Brijunit, ku u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Vjosa Osmani në një deklarim për media ka thënë ka thënë se Kosova është vend që përputhet plotësisht me aspiratat e Bashkimit Evropian.

“Sa më shumë që është prezente prania e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE. Kosova do të jetë anëtare e barabartë e këtij rajoni. Si e tillë ajo ka dhënë propozimet që edhe janë marrë parasysh në këtë samit”.

Ajo ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Osmani ka shprehur kënaqësinë e që njëra prej këtyre pikave kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, deklaroi Osmani.

Presidentja thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje që lidhet me vet kredibilitetin e BE-së.

“Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimeve euro-atlantike me vullnet të plotë”.

Ajo përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.

Reklama

“Shpresojmë se do të pranohet aplikimi nga secili shtet i BE-së”, shtoi Osmani.

Ndryshe, në fund të samitit të Procesit Brdo-Brijunit, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave.

Pahor deklaroi pas takimit të samitit Brdo-Brijuni tha se të gjithë të pranishmit ranë dakord për 6 konkluzione.

“1.Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetin në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë, 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim, 3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinë deri në fund të vitit 2022, 4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022, 5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike, dhe 6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.”, ka shkruar Pahor në Twitter./Telegrafi/