Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për gazetën kroate Express.hr ka folur për Samitin e Brdo Brijunit dhe përplasjet që kishte me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Osmani ka thënë se Serbia ende nuk është penduar për të kaluarën e saj, derisa është shprehur se nuk do të heqë dorë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, transmeton Reporteri.“Prezantimi është publik, çdokush mund ta dëgjojë dhe ta shohë se çfarë thashë atëherë. Theksova se duhet të ecim përpara, të hapim një kapitull të ri, por së pari duhet të mbyllim atë që është pas nesh për të vazhduar tutje. Pa atë, do të ishte e qartë se nuk do të kishte drejtësi për viktimat e regjimit të Millosheviqit. Jam shumë e kujdesshme që të mos përgjithësoj se kush e ka kryer krime dhe komunikoj qartë. Sidoqoftë, nuk më duket se Serbia pendohet për atë pjesë të së kaluarës të krijuar nga Sllobodan Millosheviq. Ata vazhdojnë të festojnë mënyrën e tij të të menduarit dhe të vepruarit. Kjo do të thotë që njerëzit me mendje të njëjtë janë në pushtet, ata thjesht përdorin strategji të ndryshme. Në udhëheqjen e brendshme ata vazhdojnë të varen nga ajo. Por jashtë, gjatë takimeve dhe para mediave, ata flasin për paqen. Historia na tregon se nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi. Për atë arsye, unë kërkova drejtësi për të gjitha viktimat civile të regjimit të Millosheviqit. Për mua, nuk është problem politik, por humanitar. Edhe nëse nuk është detyra jonë si politikanë, është detyra jonë si qenie njerëzore, është detyra jonë morale të nxjerrim drejtësinë në dritë, drejtësinë për viktimat.

















