
Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Sofje të Bullgarisë ku po mbahet Procesi i Aqaba nikoqirë të të cilit janë Presidenti bullgar Rumen Radev dhe Mbreti Abdullah i Jordanisë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Osmani do t’i ngris “disa çështje atje”.
“Unë e di që Osmani do të ngrejë disa çështje sepse këtu nuk ka flamuj apo simbole, madje edhe kravatat janë të ndaluara si pjesë e imazhit të samitit në Akaba, dhe jam i sigurt për çështjet që ajo do të ngrejë. Por ne kemi gjithashtu një delegacion të mirë dhe do t’i shtrojmë çështjet tona. Gjëja më e rëndësishme është të ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe të shohim se si mund të ecim përpara” ka thënë Vuçiq.
Sipas Presidencës, Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.