Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

E publikuar: 17/05/2024 21:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke shtuar se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Osmani theksoi se anëtarësimi do të ndikojë edhe në stabilitetin e bashkëpunimit.

“Është e një rëndësie të madhe që ne të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht e kemi mbështetur ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që rekomandon Komitetin e Ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë.” – tha Osmani.

“Besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.”

Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin.

Ndërsa, gjatë ditës, kryesuesi aktual i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komision është duke shqyrtuar se si të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.