Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë përmbajtësore me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog si pjesë të komunikimit të vazhdueshëm me homologë të shteteve mike.
Në këtë bisedë telefonike në mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të dy liderët kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi Presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai poashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre.
Në fund, Presidentja Osmani ka dërguar urimet më të mira për gjithë popullin e shtetit të Izraelit.