Pas zhvillimet të fundit në veri të vendit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar ambasadorët e Quintit dhe të BE-së.
Kjo është bërë e ditur permës një njoftimi për media nga zyra e presidentes.
Sipas njoftimit, në takim Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë.
Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Sipas Osmanit, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.
“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Osmani.