Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë mbajtja në fuqi e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian është një prej padrejtësive më të mëdha.
Ajo ka thënë se këto masa dëmtojnë jetën e qytetarëve të vendit.
Këto komente ajo i ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu.
“Ndërlidhur me zhvillimet në Dialog, Presidentja Osmani ritheksoi se mbajtja në fuqi e masave të BE-së është një prej padrejtësive të mëdha e cila mbi të gjitha dëmton drejtpërdrejt mirëqenien e të gjithë qytetarëve në vend”, ka thënë Osmani – thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në takim thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt me partnerët ndërkombëtarë me qëllim të adresimit sa më të suksesshëm të zhvillimeve në këtë fushë, gjithnjë duke pasur parasysh interesin e vendit.
Presidentja Osmani dhe Ambasadori De Riu diskutuan edhe për raportet e mira bilaterale ne mes të dy vendeve dhe rikonfirmuan përkushtimin për avancim të mëtutjeshëm të tyre në vazhdimësi. Në këtë drejtim, u potencua edhe rëndësia e vizitave bilaterale, si dhe shkëmbimeve të rregullta në mes të institucioneve të të dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët