Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur Listës Serbe, e cila deklaroi se paralajmërimi i saj për vizitë në veri paraqet provokim.
Osmani tha se Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve të Kosovës, teksa shtoi se ajo jo vetëm që është presidente e vendit, por edhe komandante supreme.
“Unë jo që vetëm jam presidente e Kosovës, e të gjithë qytetarëve pa dallim, por jam edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve të tjera”, është shprehur Osmani.
Ajo tutje tha se këto ditë qytetarët serbë në Kosovë po kërcënohen e frikësohen nga strukturat ilegale serbe.
“Ata s’frikësohen nga unë, por nga udhëheqësit e organizatave kriminale, të cilët i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng, në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit”.
“Prandaj, edhe një herë i ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos bien pre e propagandës, që burimin e ka në Rusi dhe te njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, është shprehur Osmani.
Më tej, ajo tha se qëllimi i Listës Serbe është tensioni e dhuna, ku shtoi se për të gjithë ata që synim e kanë tensionin e dhunën, përgjigja e institucioneve të Kosovës është sundimi i ligjit.