Osmani letër Trumpit: Kosova e gatshme të punojë me ju për të forcuar marrëdhënien tonë të veçantë, përjetësisht mirënjohëse

E publikuar: 20/01/2025 19:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhënien tonë të veçantë, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.

“Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”, thuhet në telegramin e urimit të shpërndarë në X.

“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha gjithashtu Osmani.

Ajo shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.