Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale demokratja, Kamala Harris apo republikani, Donald Trump, SHBA do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.
E pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, e para e shtetit tha se vendi ynë në vazhdimësi e ka pasur mbështetjen e qeverisë amerikane pavarësisht se kush ka udhëhequr me Shtëpinë e Bardhë.
“E kemi fituar lirinë kur në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtetë ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane. Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që SHBA-të vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date”, ka theksuar Osmani në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë./EO