​Osmani: Kosova do të vazhdojë partneritetin me administratën e re të SHBA-së

E publikuar: 24/01/2025 08:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,theksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar dhe thelluar partneritetin strategjik me administratën e re amerikane, duke u bazuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta.

Këtë Osmani e tha teksa ka pritur në takim Anu Prattipati, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Gjatë takimit, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e reformave demokratike.

Një ndër temat kryesore të bisedës ishte pjesëmarrja e delegacionit presidencial të Kosovës në ceremonitë inauguruese të Presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Sipas njoftimit, zëvendësambasadorja Prattipati shprehu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe vlerësoi përpjekjet e institucioneve të vendit në forcimin e demokracisë dhe sigurisë.

“Në përfundim, të dyja palët riafirmuan rëndësinë e marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke synuar avancimin e tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, u tha në njoftimin e Presidencës.