Osmani ia refuzoi Shkëlzen Gashit kërkesën për mbështetje financiare të ekspozitës skandaloze për masakrat

E publikuar: 28/03/2026 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte refuzuar një kërkese zyrtare nga Shkëlzen Gashi për mbështetje të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, një projekt që synonte të paraqitej edhe para publikut ndërkombëtar.
Dokumenti i siguruar tregon se më 23 prill 2025, OJQ ADMOVERE, përmes drejtorit ekzekutiv Shkëlzen Gashi, i ishte drejtuar Presidentes me kërkesë për mbështetje dhe patronazh institucional për realizimin e kësaj ekspozite.

Në letrën drejtuar kreut të shtetit, ADMOVERE e përshkruan ekspozitën si një projekt me peshë simbolike dhe përkujtimore, që synonte ruajtjen e kujtesës kolektive për viktimat civile të luftës në Kosovë. Sipas dokumentit, ekspozita ishte planifikuar të hapej më 16 qershor 2025 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, dhe të përbëhej nga 85 panele në gjuhën shqipe dhe angleze, të bazuara në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.

Kërkesa nuk ishte vetëm për përkrahje simbolike. Dokumentit i është bashkëngjitur edhe një plan i detajuar financiar, ku vlera totale e projektit figuron 25 mijë euro.

Në tekstin e letrës, Gashi kërkon që ekspozita të realizohej “me mbështetjen dhe nën patronazhin” e Zyrës së Presidentes, duke argumentuar se një përfshirje e tillë do t’i jepte projektit peshë më të madhe publike dhe institucionale. Presidenca, megjithatë, nuk e kishte mbështetur kërkesën e Gashit për financim të projektit.