Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur kritika për emërimin e Skënder Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun.
Ajo tha se me këtë veprim kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkelur Kushtetutën e vendit, derisa i ka thënë kryeministrit që të merr përgjegjësi dhe të mos fshihet prapa Skënder Hysenit dhe të përgatitet për procesin e dialogut.
“Gjykata thotë që vetëm Kuvendi mund të themeloj trupa ose mekanizma të veçantë, por jo me ia marrë kompetencat ekzistuese as qeverisë e as Kuvendit. Edhe një gjë, ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është Kushtetuta vet, pra është plotësim i Kushtetutës rrjedhimisht e ka fuqinë e Kushtetutës. E kjo na kthen tek deklarata e thënë sot me qindra herë platforma ime është Kushtetuta, nëse platforma juaj është Kushtetuta tashmë është shkel, në qoftë se në asgjë tjetër në këtë pikë po sepse është shkel aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se nuk mund të ketë mekanizëm të posaçëm që negocion. Në këtë rast mekanizmi i posaçëm që është krijuar me një vendim të qeverisë thotë që koordinatori shtetëror e udhëheq këshillin e ekspertëve, pra me shkrim nuk ia kanë dhënë kompetencën për të negociuar, por gojarisht po, u tha edhe sot në këtë Kuvend që z.Hyseni e ka mandatin për të negociuar e hartuar marrëveshjen finale. Ka negociuar në emër të Republikës ky mekanizëm i posaçëm. ”, tha ajo.
Bartja e kompetencave të tilla, Osmani tha se është në kundërshtim me kompetencat e parapara me Kushtetutë e rrjedhimisht me Kushtetutën si platformë.
Osmani ka kërkuar nga kryeministri i vendit, bashkë partiaku i saj, që të merr përgjegjësi dhe të mos fshihet prapa Skënder Hysenit.
“Sa i përket përfaqësimit nga ana e tij mendoj që duhet të jetë shqetësim për secilin që nuk përfaqëson legjitimitet dhe nuk mund t’i përgjigjet Kuvendit, por sidomos për shkak e muajve të fundit nuk është se duket se ka përcjell me vëmendje këtë proces dhe zhvillimet në këtë proces, sepse ka qenë tepër i zënë duke më kritikuar mua në çdo intervistë e çdo deklaratë pse e kam zhvendosur fotografinë e Thaçit nga një qosh në qoshin tjetër. Pra, kjo ka qenë detyra themelore e tij muajve të fundit dhe tani mori përsipër që të na përfaqësoj të gjithëve neve në procesin e dialogut. E fundit, kryeministri tha nuk ka agjendë të dialogut, besoj kjo ishte kupa që të tregoj që nuk ka përgatitje themelore për një proces kaq jetik dhe madje kur thotë që negociatat e Ahtisarit kanë filluar në 2005 z. Kryeministër kanë filluar në shkurt të vitit 2006. Po e përmbyll duke kërkuar nga ju të merrni përgjegjësi, mos u fshihni prapa Skënder Hysenit, përfaqësojeni Republikën e Kosovës me dinjitet dhe përgatituni”, tha ai.
E para e Kuvendit u është bashkuar kërkesës së deputetëve të tjerë të Kuvendit që për punën e njohjes reciproke të mos vihet pika aty, por të jetë njohja reciproke në kufijtë aktual të 17 shkurtit 2008.
Osmani tha se asnjëherë nuk është kërkuar koordinim me të si kryetare e Kuvendit dhe nuk është njoftuar për ndonjë teme, përveç atyre që i dëgjon në Kuvend të Kosovës.
Ajo ka kritikuar edhe forumin e liderëve, ku tha se në atë takim nuk kanë marrë pjesë asnjë lider i partive politike, madje as ata që janë partner të koalicionit qeverisës.
Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se Osmani ose me qëllim ose për shkak të lëshimeve ajo e keqinterpretoj komplet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.