Osmani flet si presidente, kërkon unitet mbarëkombëtar

E publikuar: 05/11/2020 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në fjalimin e parë drejtuar qytetarëve nga kjo pozitë e re, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ka kërkuar unitet të fuqishëm në kohën kur shteti po përballet me sfida të rënda.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani tha Kosova po kalon në ditët të vështira, ndaj qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, Republikës së Kosovës.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, vendi ynë po kalon në ditët të vështira, qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet, dhe besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, Republikës sonë. Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj, duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë. Sepse shteti bëhet i fort edhe kur përballet me sfida, duke i tejkaluar ato të dinjitetshëm. Ne jemi të vetishëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetëror të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të UÇK-së”, theksoi Osmani.

Ajo ka shpreh vlerësimin për të gjithë ata të cilët kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione dhe i janë përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara, duke dëshmuar kështu besim të pa lëkundur në drejtësi. Teksa tha se beteja për shtet ndërtim është beteja më e vështirë politike.

Beteja për shtet ndërtim është beteja më e vështirë politike. Prandaj, urtia dhe mençuria, tiparet e traditës sonë janë të nevojshme në këtë moment. Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. Sot kur vendi ynë përballet edhe me pandeminë, ne kemi nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë me njëri tjetrin. Si ushtruese e detyrës së presidentes do të përkushtohem që funksionoi tim ta ushtroj duke i promovuar pikërisht këto vlera. Gjatë këtij rrugëtimi, sikurse edhe deri më tash do të angazhohem çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndrrat e qytetarëve tanë jetësohen, ku krijohen mundësitë e barabarta për të gjithë në të gjitha sferat. Do të sigurohem që zëri im t’i bashkëngjitet zërit të qytetarëve e të jehojë më fortë se kurrë. Prandaj, dua t’iu lus si qytetar të këtij vendi të përkushtuar ndaj vlerave demokratike të qëndrojmë fortë afër njëri-tjetrit për të dëshmuar se kuptojmë dhe i ndajmë këto vlera me njëri-tjetrin”, theksoi ajo gjatë adresimit.

Osmani në fjalimin e saj tha se angazhimi për shtet ligjor ka qenë sfidë e rëndë, por nuk është hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe për kultivim të vlerave demokratike në Kosovë.

“Unë jam e bindur se si vend dhe të gjithë së bashku do të qëndrojmë fortë. Angazhimi ynë për shtet ligjor na ka përballur me sfida të rënda, por ne nuk kemi hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe për kultivim të vlerave demokratike. Pavarësisht sfidave ne kemi qëndruar fortë në besimin tonë të cilin ju thërras ta dëshmojmë edhe në këto momente të vështira. E kemi ruajtur këtë shpresë e këtë besim edhe kur kemi qenë viktimë e një agresioni të rëndë. Serbia ka vrarë mbi 13 mijë njerëz në Kosovë, 1 mijë e 133 prej tyre fëmijë, më së shumti në të gjitha luftërat e zhvilluara në hapësirën e ish-Jugosllavisë për kokë banori. Paqja e qëndrueshme në rajon, prandaj kërkon që viktimat dhe agresorët të mos barazohen. Ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë më zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër”, theksoi ajo.

Në fund ajo tha se si ushtruese e detyrës së presidentes do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruaj kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit.