Në ditën e dytë të funksionit të ri, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Osmani tha komandanti Adem Jashari dhe familja Jashari janë simboli më i fuqishëm i lirisë, sakrificës dhe qëndresës në Kosovë.
“Në ditët sfiduese që po kalon vendi ynë dhe qytetarët tanë është me rëndësi të përkulemi para njerëzve që simbolizojnë bazamentin dhe themelet e shtetit tonë. Pikërisht Prekazi dhe vendi ku jemi ne për momentin tek varrezat e familjes Jashari, është vendi ku mund ta gjejmë simbolin më të fuqishëm të lirisë, sakrificës njerëzore por edhe simboli i rezistencës dhe qëndrueshmërisë mbi njerëzore. Në anën tjetër, këtu mund të shohim edhe dëshminë e drejtpërdrejt për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë. Përveç sakrificës së komandantit Adem Jashari dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, 21 anëtarë që janë vrarë e janë masakruar shumica prej tyre gra, fëmijë dhe pleq. Kjo tregon mendësinë shfarosëse, gjenocidale, e për fat të keq Serbia akoma nuk kërkon falje. Për më tepër ne sot jemi këtu që ta rigjejmë frymëzimin i cili për bartësit e institucioneve duhet të shërbej për të bërë vepra të mira për vendin, ashtu siç bëri komandat Adem Jashari me familjen e tij”, theksoi Osmani.
E pyetur nga mediat përse po i mban këto ceremoni si ushtruese e detyrës së presidentes, Osmani tha se si u.d. ka kompetenca të plota të presidentit dhe u shpreh e habitur me këtë pyetje.
“Si rregull, Kushtetuta e përcakton që secilin veprim që e bën një president ose kompetencë që ka një president, e ka në të njëjtën kohë edhe ushtruesi i detyrës së presidentit. Kështu që nuk po ju kuptoj me këtë pyetje, përse po bëhen ceremonitë”, tha ajo.
Po ashtu, ushtruesja e detyrës është pyetur nga gazetarët se në fjalimin e saj të mbrëmshëm nuk e ka përmendur emrin e presidentit Thaçi, tashmë të dorëhequr.
Për këtë Osmani pati një përgjigje.
“Unë i kam përmendur të gjithë personat dhe i kam falënderuar dhe i kam vlerësuar lartë të gjithë personat të cilët kanë treguar jo vetëm gatishmëri në të njëjtën kohë kanë treguar shembull të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit me drejtësinë, natyrisht që aty ka hyrë edhe presidenti Thaci, edhe dy ish-kryetarët e kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe shefi i GP të VV Rexhep Selimi, por edhe të gjithë të tjerët deri tani secili ushtar i UÇK siç është edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj i cili disa herë ka treguar po të njëjtën gatishmëri. Pra, falënderimi dhe vlerësimi im ka qenë për të gjithë që kanë dëshmuar edhe një herë se Kosova e mbron dhe nuk ka frikë nga e vërteta, sepse ata që kanë kryer krime në Kosovë dihet kush janë. Krimet janë kryer nga Serbia para syve të botës”, theksoi Osmani.
Gjatë ditës ushtruesja e detyrës së presidentit ka bërë homazhe edhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.