Osmani-ekipit olimpik: Luftoni për Kosovën

E publikuar: 15/07/2024 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Kjo e fundit tha se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të madhe.

Ajo siguroi sportistët olimpikë kosovarë se gjatë garës në Paris do ta kenë mbështetjen e madhe të gjithë popullit, teksa pati edhe një porosi të veçantë.

“Garoni me nder e luftoni për flamurin e Kosovës që të jetë sa më lartë në skenën globale sportive”, tha Osmani.

Kryeministri Albin Kurti theksoi pjesëmarrjen për herë të tretë të Kosovës në lojërat olimpike e ka quajtur një moment historik si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.

Kurti theksoi se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, përfundoi Kurti.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi Kosova është e gatshme për ta shijuar një tjetër sukses sportiv në Paris dhe se sportistët kosovarë do të jenë heronj modernë të vendit.

Frymëzim sportistëve kosovarë iu dha edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, e cila tha se Kosova po i vazhdon sukseset e mëdha edhe pas saj, derisa shtoi se në Paris ekipi po udhëton për medalje të tjera elitare.

Flamurin e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani ia dorëzoi xhudistes Nora Gjakova.

Lojërat Olimpike në Paris do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht.