Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Dritan Abazoviqin pasi që është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.
Osmani në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se nën udhëheqjen e Abazoviqit, Mali i Zi do të qëndrojë i vendosur në rrugën e saj drejt BE-së.
“Urime Dritan Abazoviq për zgjedhjen tuaj si kryeministër i Malit të Zi. Jam e sigurt se nën udhëheqjen tuaj, Mali i Zi do të qëndrojë i vendosur në rrugën e tij drejt BE-së. Së bashku do të forcojmë partneritetin tonë dhe do të punojmë së bashku për një Ballkan Perëndimor paqësor, të begatë dhe të sigurt”, ka shkruar Osmani.
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.

















