Osmani e nderon me medalje presidenciale ish kryediplomatin çek, Schwarzenberg

E publikuar: 02/09/2022 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë medaljen presidenciale të meritave, ish ministrit të Jashtëm të Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg.

Osmani tha se Schwarzenberg nga vitet e tetëdhjeta ngriti zërin ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë e deri tek angazhimi i pashoq i tij për njohjen e Kosovës nga Çekia, njofton Klan Kosova.

“Prandaj, i dorëzova këtij miku të madh të Kosovës Medaljen Presidenciale të Meritave, si shenjë falënderimi nga populli i Kosovës për mbështetjen e pa kursyer që na dha për lirinë e pavarësinë tonë”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj:

Me popullin çek na lidhë simbolika e lirisë, të cilën si rrallëherë në histori, e kultivuan presidentët Ibrahim Rugova dhe Václav Havel. Në ditët më të vështira të historisë sonë, kur regjimi gjenocidal serb kryente masakra ndaj popullit të Kosovës, Haveli me shpirt prej humanisti, e tha troç: Edhe unë jam shqiptar!

Prandaj, në fillim të vizitës sime në Pragë, nderova kujtimin për politikanin, prijësin, humanistin dhe simbolin e lirisë, Václav Havel. Liderët si Haveli meritojnë kujtimin e përhershëm, sepse nuk i takojnë vetëm një kombi!

Kosova në Çeki kishte e ka edhe shumë miq të tjerë. Nuk do të harrojmë asnjëherë kontributin e ish-ministrit të Jashtëm të Republikës Çeke, z. Karel Schwarzenberg që nga vitet e tetëdhjeta kur ngriti zërin ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë e deri tek angazhimi i pashoq i tij për njohjen e Kosovës nga Çekia.

Prandaj, i dorëzova këtij miku të madh të Kosovës Medaljen Presidenciale të Meritave, si shenjë falënderimi nga populli i Kosovës për mbështetjen e pa kursyer që na dha për lirinë e pavarësinë tonë.