Osmani e fton për vizitë kryeministrin e Bahamas: Ditë historike për ne, njohja do të hapë shumë kapituj bashkëpunimi

E publikuar: 19/12/2025 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media së bashku me kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, pas njohjes së Kosovës nga ky shtet, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës.

Osmani ka thënë edhe se, kjo njohje është fillimi i një partneriteti të madh, dhe se, për Kosovën kjo është ditë me rëndësi historike.

‘‘Zoti Kryeministër, më lejoni ta filloj duke shprehur mirënjohjen e thellë të gjithë popullit të Republikës së Kosovës për këtë nder të madh që na keni bërë, duke na dhënë mundësinë të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të vendosim marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen nga ana juaj për Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ne jemi një komb që ka vuajtur shumë për të arritur deri në këtë ditë. Ka pasur aq shumë sakrifica nga një brez te tjetri. Prandaj, për ne kjo është një ditë me rëndësi historike — që në emër të një kombi që ka duruar kaq shumë, të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të kemi mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen tuaj, e cila besoj se është fillimi i një partneriteti të madh’’, ka thënë Osmani.

Osmani, tutje, ka deklaruar edhe se, Kosova do të jetë gjithmonë një partner për Bahamas, dhe se, do të ishte nder që kryeministri Davis të jetë për vizitë zyrtare në Kosovë në shënimin e 18 vjetorit të Pavarësisë.

‘‘Ju lutem, dijeni se në Republikën e Kosovës do të keni gjithmonë një mik, një partner dhe një aleat. Dhe te populli ynë do të keni gjithmonë mbështetje, si në kohë festimesh ashtu edhe në kohë të vështira. Ne do të jemi pranë jush. Do të ishte nder për ne t’ju mirëpresim në Republikën e Kosovës për një vizitë zyrtare, sa herë që koha ta lejojë. Dhe, siç thashë, veçanërisht nëse do të jeni me ne për festimet e 18-vjetorit të pavarësisë sonë si shtet sovran dhe i pavarur’’, ka deklaruar ajo.

Në fund, Osmani ka thënë se mezi pret që të forcohen edhe më tej marrëdhëniet mes dy shteteve, dhe se njohja do të hap shumë kapituj bashkëpunimi në shumë fusha.

‘’Edhe një herë, ju faleminderit shumë për këtë mundësi. Ju faleminderit shumë që na ftuat në Bahamas. Dhe ju faleminderit shumë që e njohët Kosovën dhe që na dhatë mundësinë të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike me vendin tuaj, gjë që besoj se do të hapë shumë kapituj bashkëpunimi në shumë fusha, për të cilat patëm rastin të diskutojmë edhe kur ishim në Nju Jork. Ne mezi presim ta forcojmë më tej këtë marrëdhënie të shkëlqyer mes dy vendeve tona. Faleminderit.”