Presidentja Osmani do të pranojë sot Raportin e Progresit

E publikuar: 12/10/2022 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30, njofton Klankosova.tv.

Edhe kryeministri, Albin Kurti do ta pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Në një draft të raportit të siguruar nga Klan Kosova gjatë ditës së djeshme përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.Në një draft të këtij raportit vlerësohet fakti që ka pasur një stabilitet politik në Kosovë falë shumicës që kishte siguruar Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021, por që ka kritika për Kuvendit e Kosovës për ngecje në miratimin e legjislacionit, në të shumtën e rasteve për shkak të mungesës së kuorumit, pjesërisht edhe për shkak të bojkotit nga ana e opozitës.

“Në Kosovë, qeveria e zgjedhur në vitin 2021, ka gëzuar një stabilitet politik dhe institucional falë shumicës solide. Kjo do të ishte dashur t’i ketë dhënë Kosovës mundësinë për të përshpejtuar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe intensifikimin e aktiviteteve legjislative, përfshirë edhe ato të lodhur ame reformat drejt BE-së. Megjithatë, mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvend, si dhe bojkoti i partive opozitare ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve kyç” thuhet në raport.

“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.

Ky draft flet edhe për funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.

“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.

Mes kritikash e vlerësimesh, Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.