Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku në konferencë për media është deklaruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Ajo tha se është marrë vendimi që të kërkohet raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti para shkuarjes së tij në Washington.
“Në mbledhjen e Kryesisë, me vendim unanim të anëtareve prezentë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit në mënyrë që ai t’i raportojë Kuvendit para se të udhëtojë në Washington, duke e pasur rëndësinë e çështjes së dialogut dhe rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë Kuvendi dhe detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë Kuvendit. Do ta ftojmë kryeministrin në Kuvend të debatojë dhe të raportojë për qëndrimet e Kosovës atje (në Washington). Datën do ta caktojmë, por do të ndodhë para udhëtimit në Washington”, theksoi ajo, raporton Zeri.info.
Kryeparlamentarja tha se të martën është caktuar të mbahen dy seanca, njëra vazhdim i së kaluarës, dhe tjera e re me disa pika të rendit të ditës.
“Të martën do të mbajmë dy seanca, njëra vazhdim, e tjetra e re, që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe seanca e dytë do t’i përfshijë disa pika të reja që kanë të bëjnë me krijimin e komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e disa bordeve dhe komisioneve që presin të trajtohen në Kuvend. Dhe një çështje tjetër që mund të trajtohet aty apo në ndonjë seancë tjetër, është interpelanca në raport me Kryeministrin e kërkuar nga një grup deputetësh (të LVV-së) që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit me Serbinë”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.
Ajo tha se është marrë vendim edhe për vendosjen e një karrige të zbrazët në qendër të Kuvendit në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
“Kryesia ka miratuar edhe propozimin tim të seancës solemne që ka të bëjë me lënien e një karrige të zbrazët në qendër të Kuvendit, dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës, pastaj në konsultim me ekspertët e fushës dhe me shoqërinë civile do të përcaktojmë dizajnin”, tha Osmani.



















