Osmani: Data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme – 28 dhjetori

E publikuar: 20/11/2025 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Data 28 dhjetor është caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Shpallja e kësaj date u bë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një konferencë për media.

“21 dhe 28 dhjetor që mund të bëhen sipas kushtetutës. 8 parti janë deklaruara për 28, 5 parti për 21 dhe 3 parti për cilën do… Data 28 dhjetor kam vlerësuar që mbete data e vetme e mundshme, edhe pse kjo datë do të ketë edhe sfida për KQZ”, tha ajo.

Kjo ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme u vendos pas konsultimeve të të parës së shtetit me krerët e partive politike.

Ajo tha se para këtij takimi, dhe nënshkrimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, u kërkoi partive që edhe sot të kthehen në Parlament, për të votuar buxhetin 2026.

“Pas dështimit të djeshëm në Kuvendin e Kosovës, për zgjedhjen e qeverisë, Kushtetuta kërkon që të shpërndahet Kuvendi, dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Sot kam pranuar zyrtarisht vendimin e Kuvendit, ku konfirmohet edhe zyrtarisht një gjë e tillë, dhe menjëherë kam mbledhur partitë politike për konsultime. Mirëpo para se të nënshkruaj dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, kam bërë përpjekjen e fundit që partitë parlamentare të kthehen edhe sot në Kuvend dhe të miratojnë së pari zgjatjet buxhetore”, u shpreh Osmani.