Osmani: Bllokadat në kufi tregojnë lidhjen e Serbisë me bandat kriminale

E publikuar: 07/09/2024 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se prapa bllokadave të pikave kufitare me Kosovën qëndron shteti serb, të cilit nuk i intereson, sipas saj, as lëvizja e as fqinjësia e mirë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se Serbia po vazhdon t’i shfrytëzojë bandat kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës, që destabilizojnë jo vetëm atë, por të gjithë rajonin.

Me këtë rast, e para e shtetit ka kërkuar reagim edhe nga ndërkombëtarët, ndaj “shkeljeve të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilët po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë”.

“Serbia edhe njëherë po tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon t’i shfrytëzojë bandat kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe lëvizjes së lirë”.

Ajo ka theksuar se lidhshmëria e drejtpërdrejtë e shtetit serb me bandat kriminale dëshmohet nga prania e policisë serbe.

“Edhe këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë tentuar t’i terrorizojnë qytetarët tanë të cilët dëshironin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare, kanë vetëm një qëllim: të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovës dhe gjithë rajonin dhe në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejtë të shtetit serb me bandat kriminale, sepse siç e dini policia serbe ka qenë aty dhe të gjitha këto krijime kanë ndodhur para syve të tyre që edhe tregojnë bashkëveprimin e shtetit serb me këto organizata që vazhdimisht i kontribuojnë destabilizimit të vendit tonë”.

“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilët po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe të cilët kanë tendencë që ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, u shpreh Osmani, pas zbulimit të bustit të ish-presidentit Rugova në Podujevë.