Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë, raporton Ekonomia Online.
“Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirinë. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që mund t’i rrënojë ato”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, sot, sikurse gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova si dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të secilit pjesëtar të UÇK-së.
“Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, ndaj mbeten qendrore edhe përcaktuese për të ardhmen tonë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se na duhet patriotizmi kushtetues, i cili na bashkon.
“Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë, por sepse besojmë në të ardhmen e ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na për bashkojnë dhe për shkak se populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të shtetit të ndërtuar me aq shumë sakrificë”, tha ajo.
Osmani po ashtu tha se kushtetuta jonë është më shumë se një dokument juridik—ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona më të larta.
“Në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se kushtetuta jonë është më shumë se një dokument juridik—ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona më të larta. Ajo garanton lirinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve. Këtë parime nuk janë vetëm obligime ligjore, por edhe akt patriotizmi që forcojnë themelin e shtetit tonë”.