Osmani: Anëtarësimi në BE është fat i Kosovës, kemi punuar shumë

E publikuar: 17/12/2025 11:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është fat i Kosovës, dhe diçka për të cilin vendi ka punuar për një kohë të gjatë.

Ajo ka shpjeguar se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat duke shtuar se presin që shqyrtimi i aplikimit të vendoset në tavolinën e anëtarëve të Këshillit shumë shpejtë.

“Në fakt, si vend, si komb ne kemi kontribuuar në vlerat për të cilat qëndron BE-ja me shekuj. Ne besojmë fuqishëm se derisa është një proces kompleks nëse merren për bazë kriteret e bazuara në meritë, Kosova do të ishte liderë. Por është më e komplikuar në rastin tonë për shkak të pesë shteteve mosnjohëse, të cilat besojmë që do ta kuptojnë që të pasurit Kosovën si vend anëtar të BE-së nuk është vetëm në të mirën e popullit të Kosovës por është nevojë strategjike dhe nevojë e sigurisë për gjithë kontinentin”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se ajo se çfarë BE-ja thotë për progresin e Kosovës është momentalisht në rreshtim 100 për qind me politikën e jashtme dhe me rregullat e sigurisë të BE-së dhe çdo vendim në këtë fushë është në linjë me BE-në.

Ajo ka përmendur sanksionet ndaj Rusisë apo edhe kundërshtarët tjerë në botën perëndimore.

Osmani ka thënë se për sundimin e ligjit Kosova është lider, duke shtuar se ky ka qenë prioritet kryesor i institucioneve të Kosovës.

“Këto janë disa çështje në të cilat kemi punuar shumë”, ka thënë ajo.

“Edhe në reformat ekonomike, gjithashtu bazuar në raportet e hershme të BE-së, qëndrojmë më së miri në rajon. Edhe në reformat administrative, jemi më të mirët në rajon. Natyrisht ka punë të vogla që duhet t’i përfundojmë. Por nëse nuk do të kishte komplikime politike, të cilat natyrisht nuk kanë të bëjnë asgjë me reformat, padyshim që do të ishim në krye”.

Osmani ka thënë se mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në BE.