Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar se shkolla shqipe ka qenë një akt qëndrese në periudhat më të vështira për shqiptarët.
Ajo ka kujtuar se në kohë përndjekjesh mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan, por mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën për liri.
“Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se nga banka e parë e shkollës deri te universitetet vazhdon i njëjti mision – rritja e brezave që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.
“Prandaj, 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues që, përmes dijes dhe përkushtimit, edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit”, ka theksuar ajo, duke uruar të gjithë mësuesit për këtë ditë.
Në fund, Osmani ka uruar: “Urime 7 Marsi të gjithë mësuesve!”



















