Osmani: 6 mijë shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta për të votuar, Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë Serbinë

E publikuar: 03/04/2022 22:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tashmë ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi.

Pas kësaj ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u deklarua lidhur me mos-lejimin e votimit të mbi 6 mijë shqiptarëve në Serbi.

Sipas presidentes Osmani kjo është një fushatë e qëllimshme e Serbisë ndaj shqiptarëve të cilët jetojnë atje.

Presidentja Osmani bëri thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtarë që të dënojë këtë gjë.

“Sipas raportimeve, 6.000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë.”, shkroi Osmani në Twitter.

E për vendimin e Serbisë që t’u pamundësojë votimin shumë shqiptarëve në Serbi, ka reaguar edhe Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Von Cramon ka kërkuar që raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e Parlamentit Evropian.

Von Cramon u përgjigj kështu ndaj ankesës së Teuta Fazliut, e cila theksoi se nuk ka mund të votojë pasi është fshirë nga lista e votuesve ndonëse është nga Bujanovci.

“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka shkruar Von Cramon.

Ndryshe, në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.