Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka vazhduar shqyrtimin e Raportit vjetor të Organit Shqyrtues i Prokurimit (OShP) për vitin 2022.
Vjosa Gradinaj kryetare e bordit OShP-së, tha se gjatë vitit 2022 kanë pranuar 820 ankesa, ku prej tyre 171 raste lëndët janë kthyer në rivlerësim në 52 raste është anuluar aktiviteti i prokurimit.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit gjatë vitit 2022 ka pranuar gjithsej 820 ankesa, prej të cilave 164 raste është vërtetuar vendimi i autoritetit kontraktues, 171 raste lëndët janë kthyer në rivlerësim, 52 raste është anuluar aktiviteti i prokurimit dhe janë lëshuar 3 urdhëresa dhe në 34 raste janë bërë përmirësim të dosjes së tenderit”.
“Ankesat e refuzuara si të palejuara janë gjithsej 57 ankesa, të refuzuara nga periudha kur organi shqyrtues ka qenë pa bord janë 176 ankesa, të paafatshme 23 ankesa, te refuzuara si të parregullta 12 ankesa, tërheqja e ankesës është bërë në 11 raste, kurse pajtimi i palëve është bërë në 29 raste”, tha Gradinaj.
Kryetari i Komisionit Armend Muja, ka pyetur bordin e OShP-së se sa ditë i’u ka marr trajtimi i ankesave që janë bërë.
“Sa ditë ka marr trajtimi i ankesave, ligji thotë 34 ditë duhet të shqyrtohen ankesat. E dyta ligji thotë se duhet të na informoni se sa prej tyre janë kthyer në rivlerësim, sa prej tyre kanë shkuar në gjykata, këto duhet të jenë të detajuara”, tha Muja.
Gradinaj, tha se në lidhje më këtë nuk kanë një përqindje të saktë.
“Nuk e kam një përqindje të saktë. Janë të paraqitura në raport. E potencova edhe më herët numrin më të madh të ankesave e kemi pranuara në kohën kur ne e kemi marr mandatin”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka pyetur bordin e OShP-së si është e mundur që disa lëndë janë trajtuar edhe pasi i ka kaluar afati e disa nuk janë trajtuar.
Gradinaj, tha se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së stafit për t’i trajtuar lëndët, raporton EO.
“E kuptoj shqetësimin tënd. Jo na po secilin Bord me të gjitha ato lëndë nuk mund t’i kryej të gjitha ato lëndë. Duhet të potencohet fakti që unë e kam pasur vetëm një zyrtar ligjorë”, tha ajo.