Si pjesë e agjendës dypalëshe, ai u takua mePresidentin Ilir Meta, zv.kryeministren Senida Mesi, zv.ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, si dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
Linhart vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Prezenca e OSBE-së për autoritetet shqiptare, në përputhje me nevojat e vendit.
“Misionet e OSBE-së përfaqësojnë një vlerë të shtuar për organizatën tonë, për të ofruar ndihmë sipas nevojave përgjatë proceseve të vazhdueshme të reformave në vendet pritëse. E njohur anembanë Shqipërisë, Prezenca është provë e padiskutueshme e kësaj qasjeje.
Ndihma për konsolidimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit — si dhe për proceset zgjedhore transparente, të drejta dhe gjithëpërfshirëse — përbën një element kyç të mandatit të Prezencës”, tha Linhart.
Nga ana e tij, Borchardt foli për rolin konstruktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë nismat e fundit për shkëmbimet mes të rinjve, të organizuar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe Prezencën e OSBE-së.
“Jemi të lumtur që punojmë nga afër me të rinjtë dhe që përfshijmë perspektivat rinore në punën e përditshme të OSBE-së, duke forcuar vetëbesimin dhe dialogun mes tyre”, tha Borchardt.
Ai shtoi se “Prezenca mbetet e gatshme që të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe të punojë me qeverinë, aktorët politikë, shoqërinë civile, median dhe të gjithë qytetarët për të ecur përpara me reformat kyçe.”

















