OSBE kundër kriminalizimit të shpifjes në Shqipëri, Qeveria të tolerojë kritikat

E publikuar: 12/11/2015 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviq ka shprehur këtë të enjte shqetësimin në lidhje me Projektligjin e Qeverisë së Shqipërisë për kriminalizimin e shpifjes.

Përmes një deklarate për shtyp, Mijatoviq u ka bërë thirrje ligjvënësve të Parlamentit që të mos e kalojnë nenin që parashikon dënim me burg të figurave publike.

“Organet shtetërore dhe zyrtarët nuk duhet të gëzojnë mbrojtje të shtuar nga fjalimet kritike. Përkundrazi, ata duhet të tolerojnë në një shkallë më të gjerë kritikat sesa qytetarët e thjeshtë”, ka deklaruar Mijatoviq.

Sipas saj, “sanksionet kriminale për shpifje janë ekzagjeruar dhe të pazbatueshme në mënyrë të drejtë, ndaj dhe duhet të zëvendësohen nga ndryshime ligjore efikase, civile ose administrative”.

“U bëj thirrje anëtarëve të Parlamentit që ta refuzojnë propozimin e ri dhe në vend të tij të marrin në konsideratë shfuqizimin e plotë të kriminalizimit të shpifjes”, ka thënë Mijatoviq.

Ajo ka kujtuar se, në vitin 2012 autoritetet shqiptare vendosën shfuqizimin e dënimit me burg ndaj akuzave për shpifje, një vendim që, siç thotë ajo, u mirëprit nga përfaqësuesit e OSBE-së.