OSBE i ofron mbështetje Shërbimit Korrektues në fushën e trajnimeve

E publikuar: 10/02/2021 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, priti në takim Drejtorin e Departamentit për Siguri Publike në OSBE Edward Anderson, me të cilin diskutuan lidhur me sigurinë në institucione korrektuese dhe fushën e trajnimeve të stafit të SHKK-së në përgjithësi.

Gjatë takimit, Thaçi e njoftoi Anderson rreth trajnimeve të stafit, punës, sfidave dhe të arriturave të SHKK-së.
Tutje, e njoftoi edhe mbi menaxhimin e masave kundër pandemisë COVID-19, ku aktualisht asnjë i burgosur nuk është i prekur nga pandemia.

Në anën tjetër, Anderson e përgëzoi Thaçin për punën e mirë të treguar deri më tani, duke vlerësuar se SHKK gjatë kësaj periudhe ka bërë një punë të shkëlqyer, sidomos në aspektin e sigurisë dhe në atë të menaxhimit dhe të parandalimit të përhapjes së infektimit me COVID – 19 në institucionet korrektuese.

Gjatë takimit, Anderson shprehu gatishmërinë se OSBE shumë shpejt do të vazhdojë ta mbështes SHKK-në në fushën e trajnimeve, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të organeve të sigurisë brenda institucioneve të SHKK-së.

Në fund, Thaçi falënderoi Anderson dhe OSBE-në për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë në trajnimet e stafit, të cilat trajnime kanë për qellim ngritjen e kapaciteteve të organeve të sigurisë brenda institucioneve të SHKK-së.