Kurti Kuvend
Ndërkombëtarët po përpiqen t’i bindin LDK-në dhe PDK-në ta përkrahin propozimin evropian, të cilin e ka pranuar Kryeministri Kurti. Për PDK-në, propozimi është larg asaj që kishin pritur në raport me Serbinë, ndërsa për LDK-në, ai s’garanton normalizim. Ambasadori britanik dje tha se “disa parti opozitare” po e përkrahin Qeverinë. Nuk dihet nëse ndërkombëtarët e kanë lëkundur PDK-në a LDK-në, por, zyrtarisht, Kurti ka përkrahjen e Ramush Haradinajt në rrugën që ka hyrë.
Një nga akuzat e opozitës për Kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij që nuk vjetërsohet është “prishja e raporteve me ndërkombëtarët”, kur ai ka qëndrime të kundërta me kërkesat e SHBA-së dhe aletatëve nga Evropa.
Tani, dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, si rrallëherë, ose si asnjëherë më parë, nuk po i binden kërkesës së Perëndimit për ta përkrahur propozimin evropian, të cilin e mbështet dhe e promovon SHBA-ja.
Ambasada amerikane në Prishtinë e ka deklaruar ‘shqetësimin’ që ia ka shkaktuar kundërshtimi i propozimit evropian nga opozita.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thuhej në një deklaratë të Ambasadës, të lëshuar për Reporterin. Aty i kujtohej opozitës së propozimin evropian e përkrahin fuqishëm edhe Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari Antony Blinken.
Përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë tutje kanë pasur disa takime me udhëheqjet e partive opozitare, në tentim për t’ua ndërruar mendjen.
Opozita e mbështet refuzimin e saj te mungesa e njohjes reciproke në një marrëveshje normalizuese mes Kosovës dhe Serbisë, që bëhet sipas propozimit evropian – ku nuk përmendet çështja e njohjes.
PDK: Marrëveshja e pamjaftueshme
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, fundjavën e kaluar, pasi takoi udhëheqjen shtetërore ka shkuar në selitë e partive opozitare në Prishtinë.
Ndonëse BE-ja dhe SHBA-ja do përkrahje të pakusht të partive opozitare rreth propozimit evropian, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ia ka thënë rezervat që i kanë për planin e pranuar nga Kryeministri Kurti.
“Emisarit Lajçak ia ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kishim pritur të gjithë”, kishte shkruar Kransiqi pas takimit me Lajcakun.
Ai thotë se PDK-ja i ka dhënë përkrahje Kurtit për dialogun me Serbinë, porse, sipas Krasniqit, ai nuk është dakorduar me Perëndimin, kur është dashur.
“Për dy vjet ne kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me dialogun me Serbinë dhe e kemi inkurajuar që të angazhohet në këtë proces. Fatkeqësisht, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur duhej, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Ëashington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës”.
Me nisjen e javës, në zyrën e Krasniqit ka shkuar ambasadori amerikan Jeff Hovenier. Kryetari i PDK-së thotë t’ia ketë shprehur “rezervat” edhe atij.
“Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka shkruar Krasniqi.
LDK: Marrëveshja nuk garanton normalizim me Serbinë
Pas takimit me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajcakun, kryetari i LDK-së tha se partia e tij konsideron që Kosovës i duhet vetëm marrëveshja me Serbinë që sjell njohjen reciproke dhe asnjë tjetër.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”.
Marrëveshja që e ka pranuar Kurti në Bruksel ka 11 nene. Kur ai është kthyer në Prishtinë, veçanërisht është marrë në pyetje nga opozita për nenin 7, i cili flet për ‘vetë-menaxhim’ të komunitetit serb në Kosovë dhe për dhënien e statusit të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
“Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.
Ambasadori britanik, Nicolas Abbott, i cili po ashtu mbështet propozimin evropian, ka thënë dje se Qeveria e ka përkrahjen “disa partive” opozitare.
“Qeveria dëshiron që të arrijë një afat kohor realist zbatimi dhe unë e mirëpres faktin që disa parti opozitare janë duke dhënë përkrahje të dobishme”, ka shkruar Ambasadori britanik.
Haradinaj s’ecën me opozitën, pro planit evropian
Nuk dihet se për kë e ka fjalën Ambasadori Abbott, kur flet në shumës, por, ndryshe prej asaj që e kanë thënë dy të parat, partia e tretë shqiptare në opozitë, AAK-ja veçse e përkrah propozimin evropian.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, fillimisht me fjalime në Kuvend, e më pas edhe në deklarata të tjera, u ka kërkuar kolegëve opozitarë që të mos jenë hipokritë, pasi, sipas tij, në mbarëvajtjen e negociatave me Serbinë kanë hise të gjithë, si pushtetarë të mëhershëm.
Pasi Kryeministri Kurti e ka pranuar propozimin evropian, zyrtarisht më 27 shkurt në Bruksel, Haradinaj e ka ritheksuar qëndrimin e tij dhe të partisë pro vendimit të Kryeministrit.
“Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të propozimit euro-amerikan për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore”, ka shkruar Haradinaj javën e kaluar, duke thënë se ky është konkludim i dalë nga kryesia e partisë së tij. /Express/