Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dolën nga takimi disaorësh të hënën në Bruksel, pa u marrë vesh për çështjen e targave, e cila rrezikon ta përshkallëzojë situatën në veri të vendit.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell pas këtij takimi përmendi një “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”. Nërsa shprehu indinjatën që Kosova s’e pranoi një propozim të tij, tha se do t’i informonte shtetet anëtare të Unionit për sjelljen e palëve në takim.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i tha të hënën Gazetës Express se bisedimet po vazhdojnë me palët për ta gjetur zgjidhjen. Kurti rreth mesnatës e pranoi kërkesën e SHBA-së që ta shtyjë për 48 orë gjobitjen e shoferëve që vazhdojnë t’i mbajnë në automjetet e tyre targat e lëshuara nga Serbia.
“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për t’i vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për ta gjetur një zgjidhje”, tha Stano.
24 orë pas takimit me Vuçiqin, Kurti tha se s’ka folur më me Borrellin. Tha se përfaqësuesit e SHBA-së “po bëjnë përpjekje maksimale” dhe se ata “janë në kontakt me Brukselin”.
BE-ja pret që Kurti dhe Vuçiqi të veprojnë “në përputhje me rrethanat”. Nga Unioni nuk patën përgjigje të prerë nëse gjatë këtyre orëve të mbetura do ta ndryshojnë propozimin që Kosova të mos shqiptojë gjoba për shoferët që mbajnë targa të Serbisë në automjetet e tyre dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për ta. Kurti e quajti të papranueshme këtë dhe tha se ndërmjetësuesit “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për arritjen e një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, tha Stano.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian tregoi për Express se Borrell gjatë takimit të së hënës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit i ka pasur “dy propozime”.
“Gjatë takimit, lehtësuesi i BE-së paraqiti dy propozime të balancuara kompromisi që do ta kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale”, tha Stano.
Ai tha se “fatkeqësisht, ende nuk është arritur marrëveshje për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”
“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund ta përshkallëzonte situatën në terren dhe kujtoi se ai pret që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për ta arritur një marrëveshje”, tha Stano.