Tensionet në sallën e Parlamentit grek me zërat pro dhe kundër marrëveshjes së arritur me huadhënësit ndërkombëtarë, janë reflektuar më së shumti në rrugët dhe sheshin pranë godinës.
Qindra qytetarë grekë janë mbledhur për të protestuar kundër votimit të masave shtrënguese në sheshin “Sintagma”.
Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe molotov në drejtim të forcave të policisë, të vendosura përreth godinës së parlamentit, transmeton Tch.
Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestat.
Situata vijon të mbetet e tensionuar, megjithëse intensiteti i përleshjeve ka rënë disi.
Më herët, kryeministri Tsipras u ka kërkuar deputetëve të tij mbështetjen për kalimin e marrëveshjes, në të kundërt qeveria rrëzohet.
“Nëse nuk më mbështesni sot, nesër nuk do të jem kryeministër. Ose bashkë me mua sot, ose nesër bie Qeveria e majtë!”, kanë qenë fjalët e fundit të kryeministrit Tsipras drejtuar deputetëve të partisë së tij.