Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka vlerësuar se nuk ka besim në procesin e përzgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP).
Sipas tyre mosbesimin në proces e dëshmojnë “sasia dhe cilësia e kandidatëve” që kanë kandiduar për këtë post.
“Kandidaturat për rektor të Universitetit të Prishtinës, tregojnë se besimi në proces ka humbur dhe se duhen zgjedhje të reja në nivel universitar për të dalë nga situata e krijuar. Si për nga numri i kandidaturave, si për nga kualiteti shihet se asnjë emër me reputacion të mirë në UP nuk ka kandiduar për rektor”, thuhet në reagimin e ORCA-s.
Sipas tyre ky proces dëshmon se ka mobilizim për grupet e interesit të cilat duan ta çojnë në regres UP-ën.
“Fakti që në mesin e 6 kandidatëve kanë aplikuar njerëz me të kaluar të dyshimtë, si shembull të përfolur për afera korruptive, apo që kanë pasur pjesëmarrje aktive në sabotazh të integritetit akademik të UP-së, tregon se shkarkimi i rektorit dhe situata aktuale po shërbejnë si mobilizim për grupet e interesit të cilat duan ta çojnë në regres Universitetin e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Shqetësues shihet edhe fakti që në këtë proces nuk ka kandiduar asnjë grua.
“Brengat e deritashme të shoqërisë civile për ngacmime seksuale dhe për seksizëm në UP, vërtetohen me faktin që asnjë grua nuk ka besim në këtë proces për të kandiduar si kandidate për rektor të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagim.
ORCA ka parë me shqetësim emrat e kandidatëve si Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova e Qerim Qerimi dhe si rrjedhojë ka bërë të ditur se ka filluar “një proces holistik të verifikimit për secilin kandidat në lidhje me integritetin personal dhe akademik të secilit kandidat”.
“Brenda javës ORCA do të publikojë profilin e secilit kandidat për rektor. Ndërkohë ORCA do të fillojë mobilizimin me organizatat e shoqërisë civile për të kërkuar në mënyrë të vendosur shpalljen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e Universitetit, si e vetmja mënyrë për dalje nga situata aktuale”, thuhet në reagim.