
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur për vizitën e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, rreth dy javë më parë në Prishtinë.
Orav tha se duke e njohur personalisht Sorensenin, ai në raportin e tij ka shkruar atë që ka parë dhe dëgjuar në Prishtinë, teksa shtoi se “ne shkruajmë dhe raportojmë saktësisht ato që shohim dhe dëgjojmë dhe bëjmë propozime si të vazhdojmë tutje.
“Vizita e tij e parë në Kosovë ka qenë vetëm për të bërë pyetje. Nuk ka ardhur me asnjë propozim dhe besoj se e njëjta ka ndodhur edhe në Beograd. Është kthyer, po konsultohet me kolegë, ndoshta edhe me shtetet anëtare, ndoshta edhe me hierarkinë dhe shpresojë që pastaj do të vijë me ide të reja”.
“Nga pikëvështrimi ynë, Bashkimit Evropian, ne jemi gati të lëvizim sepse e kemi Komisionin e ri dhe ata janë të interesuar që të vazhdojnë tutje me këtë proces normalizimi. Sorenseni dhe Komisioni i ri, janë të interesuar dhe shpresoj që të kemi qeverinë e re së shpejti sepse të gjithë këtu besojnë se kush do ta krijojë qeverinë, por duam të jemi të sigurt se ata do të jenë ata njerëz që do të punojnë”, tha Orav në një intervistë për Klan Kosova.
Më tej, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të dyja vendet për të ecur tutje, teksa shtoi se marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen.
“Mendoj që ato marrëveshje që janë lidhur, duhet të zbatohen. Pra, ato marrëveshje, më sa e kam kuptuar janë rreth 90 marrëveshje dhe përafërsisht 1/3 janë zbatuar, 1/3 kështu ashtu, dhe një pjesë goxha e madhe nuk janë zbatuar”.
“Pra, ato duhet të zbatohen sepse nëse nuk ka dëshirë nga njëra palë që t’i zbatojë elementet e caktuara, nuk duhet bërë diçka nga zero. Ato duhet të zbatohen, prandaj Sorenseni ka ardhur këtu për të mësuar nga homologët, qeveria, presidentja, opozita, OJQ-të, komuniteti biznesor se çfarë do të mund të bëhej”, tha ai.
Orav, ka folur për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të propozuar nga BE-ja.
Orav tha se draft-statuti është hartuar nga Bashkimi Evropian dhe është dorëzuar në Prishtinë nga ish-emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa u shpreh se pasardhësi i Lajçakut, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij i ka dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve në lidhje me këtë çështje.
“Statuti është hartuar nga BE-ja, është dorëzuar këtu nga përfaqësuesi i kaluar special për dialogun dhe pasi Sorenseni ka qenë këtu për t’i dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve, kishim qëndrime të ndryshme se si duhet të vazhdojmë me procesin dhe prapë i takon atij të vendosë nëse diçka mund të bëhet më ndryshe ose për të vazhduar saktësisht në mënyrën e njëjtë”.
“Ne po i dëgjojmë të gjitha mesazhet në takimet zyrtare, prapa dyerve të mbyllura por edhe duke analizuar dhe duke përcjellur për së afërmi mediat se çfarë thonë politikanët, shoqëria civile, biznesmenët dhe i marrim parasysh të gjitha”, tha Orav.
Në lidhje me draft-statutin, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ai nuk është në linjë me opinionin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Asociacionin.
Ai tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian të vazhdojnë të punojnë së bashku, ashtu siç kanë bërë vite me radhë.
“Natyrisht! Shpresa jonë është të vazhdojmë të punojmë ngushtë siç kemi bërë deri më tani, dhe tash do të doja t’i kthehesha punës sime paraprake kur kam punuar në Maqedoni të Veriut. Ishim duke punuar krahë për krahë më ambasadorin e SHBA-ve çdo ditë”, tha Orav.
Orav thotë se nëse punohet së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikën, bëhen mrekulli, ashtu siç kur u formua qeveria teknike në Maqedoni të Veriut.
“Ditët e mia në Kosovë janë shumë të zëna. Si shkoj në shtëpi hapi telefonin, e në ditët e fundit, madje në muajt e fundit, jemi ballafaquar me shumë befasi, nëse e ndiqni çka po ndodh në botë, kështu për momentin kam një ndjesi që nuk do të ketë më befasi”, tha tutje Orav.
“Shpresoj shumë që ne, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të punojmë së bashku, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm Kosovë-Serbi, por në të gjithë botën”, tha ai.